Një e re në moshën rreth 24-vjeçare ka humbur jetën pas një vetaksidenti në rrugën nacionale Pejë-Prishtinë në afërsi të Komoranit, mëngjesin e sotëm.
Tre persona të tjerë kanë pësuar lëndime si pasojë e këtij vetaksidenti.
“Sot, rreth orës 05:30, në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë, në afërsi të Komoranit, është shkaktuar një aksident trafiku me pasoja fatale. Si pasojë e aksidentit (vetaksident), një person ka humbur jetën, ndërsa tre persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore. Njësitë kompetente policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke zhvilluar hetimet për sqarimin e rrethanave të rastit”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
Policia e Kosovës apelon te të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes.
E drejtori i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare, Naser Syla, ka treguar për gjendjen e tre të lënduarve.
“Një e lënduar është dërguar në sallën operative në QE, pas intervenimit kirurgjik pacienta është dërguar në MIQ për vazhdim të tretmanit, ndërsa dy të lënduarit tjerë janë në gjendje stabile për momentin, por me lëndime të rënda trupore. Njëri vazhdon trajtimin në kirurgji torakale e tjetri në ortopedi”, ka thënë Syla për KOHËN.





