Komuna e Skenderajt ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj personave që hedhin mbeturina në vende të palejuara, duke bërë të ditur se shkelësit mund të përballen me gjoba deri në 500 euro.
Drejtori përkatës në Komunën e Skenderajt, Arbër Geci, ka njoftuar se janë vendosur tabela informuese në lokacione të ndryshme me qëllim të sensibilizimit të qytetarëve dhe parandalimit të ndotjes së mjedisit.
Sipas tij, tabelat janë vendosur në hapësira publike, zona të frekuentuara dhe vende ku është evidentuar hedhja e mbeturinave, me qëllim të informimit të qytetarëve për obligimet e tyre ligjore dhe qytetare në ruajtjen e pastërtisë.
Geci ka theksuar se ndaj çdo personi që kapet duke hedhur mbeturina në vende të ndaluara do të ndërmerren masa ligjore dhe do të shqiptohen gjoba e sanksione sipas legjislacionit në fuqi.
“Ruajtja e pastërtisë dhe mbrojtja e mjedisit janë përgjegjësi e përbashkët e institucioneve dhe qytetarëve. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe respektimit të ligjit mund të sigurojmë një ambient më të pastër dhe më të shëndetshëm për të gjithë”, ka deklaruar ai.





