Mungesa e ujit të pijes po vazhdon t’u shkaktojë vështirësi të mëdha banorëve të disa zonave në Komunën e Drenasit, të cilët ditëve të fundit kanë shprehur shqetësime dhe ankesa të shumta për ndërprerjet dhe furnizimin jo të rregullt me ujë.
Pas reagimeve të qytetarëve, ka dalë me një sqarim zyrtar edhe Komuna e Drenasit, e cila thotë se e kupton plotësisht shqetësimin e banorëve dhe vështirësitë që kjo situatë po shkakton në jetën e përditshme të familjeve dhe bizneseve.
Në reagimin e saj, komuna thekson se furnizimi me ujë të pijes është shërbim jetik dhe çdo ndërprerje e zgjatur kërkon trajtim serioz dhe institucional. Sipas komunës, përgjegjëse për ofrimin e këtij shërbimi në territorin e Drenasit është Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” Sh.A., e cila funksionon si ndërmarrje publike qendrore.
“Për territorin e Komunës së Drenasit, operator përgjegjës për ofrimin e shërbimit të ujësjellësit është KRU ‘Prishtina’ Sh.A., ndërsa përgjegjësia institucionale për mbikëqyrjen dhe kërkimin e llogaridhënies lidhet drejtpërdrejt me nivelin qendror”, thuhet në reagimin e komunës.
Komuna e Drenasit ka bërë të ditur se do të vazhdojë të evidentojë shqetësimet e qytetarëve, të kërkojë informata zyrtare nga operatori përgjegjës dhe të insistojë në ndërmarrjen e veprimeve konkrete për normalizimin e furnizimit me ujë në zonat e prekura.
Njëkohësisht, qytetarët që përballen me mungesë të ujit, presion të ulët apo probleme të tjera në rrjet janë ftuar t’i drejtohen drejtpërdrejt Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, si dhe njësisë operative të kësaj kompanie në Drenas për paraqitjen e ankesave dhe kërkesave të tyre.
Problemi me furnizimin me ujë ka ngritur pakënaqësi të shumta te banorët e Drenasit, të cilët po kërkojnë zgjidhje të shpejtë të situatës, veçanërisht gjatë ditëve me temperatura të larta.





