spot_img

Dy monumente të UÇK-së dëmtohen brenda disa ditëve, njëri në Kaçanik e tjetri në Çyçavicë

spot_img
spot_img
spot_img

Vetëm gjatë muajit maj janë raportuar disa raste të dëmtimit të monumenteve të UÇK-së të vendosura në pika të larta malore në vende të ndryshme të Kosovës.

Më 17 maj janë dëmtuar tri shkronjat e UÇK-së që ndodhen te “Guri i Shpuar” në Kaçanik, ndërsa dje është dëmtuar edhe monumenti i UÇK-së i vendosur në majën e Çyçavicës.

Në të dy rastet raportohet se ka pasur tentativa për djegie dhe dëmtim të materialeve nga të cilat janë ndërtuar simbolet e UÇK-së, ndërsa deri më tani nuk është raportuar për ndonjë arrestim.

Në Çyçavicë, faqja e fshatit Sibofc, komuna e Obiliqit, ka njoftuar se tri shkronjat e UÇK-së janë dëmtuar nga persona të panjohur, duke theksuar se dëmtimi është në atë shkallë sa kërkohet intervenim për sanim.

“Të dashur bashkëfshatar dhe kontribues për shkronjat e arta te UÇK-së në Çyçavicë: Ju njoftojmë se nga persona të panjohur janë dëmtuar shkronjat në një shkallë ku kërkohet demontimi për sanim. Duke e ditur rëndësinë e këtyre shkronjave për neve si popull i ftojmë organet e rendit të mirren më seriozisht me rastin”, është thënë në njoftim.

Ndërkohë, dëmtime më të rënda ka pësuar monumenti i UÇK-së në vendin e quajtur “Guri i Shpuar” në Kaçanik.

Më 17 maj, persona të panjohur kanë tentuar t’i djegin shkronjat e UÇK-së, ndërsa Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin, duke bërë të ditur se në afërsi të monumentit është vërejtur edhe një zjarr që dyshohet se ka shkaktuar djegien e materialeve plastike të shkronjave.

Me vendim të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga njësitet përkatëse të policisë.

Rastin e ka dënuar edhe dega e OVL UÇK-së në Kaçanik, e cila ka reaguar duke e cilësuar si akt vandal dhe duke kërkuar që autorët të vihen para drejtësisë.

Lajmi i fundit
LAJME TJERA