spot_img

EKSKLUZIVE: I riu nga Drenasi, Murat Avdyli, zgjidhet asamblist në Bad Homburg të Gjermanisë

spot_img
spot_img
spot_img

Një sukses i madh për të rinjtë shqiptarë në diasporë vjen nga Gjermania, ku i riu nga Drenasi, Murat Avdyli, është zgjedhur asamblist në qytetin Bad Homburg të landit Hessen.

Murat Avdyli, i lindur më 23 shtator 2006 në fshatin Dobroshec të Drenasit, në zgjedhjet e mbajtura më 25 mars 2026 si kandidat i CDU-së ka arritur të fitojë 8722 vota, duke siguruar kështu ulëse në Asamblenë e qytetit Bad Homburg, qytet me rreth 54 mijë banorë dhe mbi 32 mijë qytetarë me të drejtë vote.

Vetëm 19 vjeç, Murati është shqiptari i vetëm i zgjedhur në këtë Asamble dhe njëherit asamblisti më i ri në moshë.

Ai jeton në Gjermani që nga mosha 4-vjeçare, ndërsa për shumë vite është marrë edhe me futboll, duke luajtur nga mosha 5 deri në 18 vjeç. Murati ka përfunduar me sukses maturën “Abitur” në shkollën Kaiserin-Friedrich-Gymnasium, ndërsa që nga shtatori i vitit 2025 është student në Frankfurt School of Finance & Management, një ndër universitetet më të njohura të ekonomisë dhe financave në Evropë.

Angazhimi i tij politik ka nisur herët. Në vitin 2023, në moshën 17-vjeçare, ai u bë pjesë e Junge Union në Bad Homburg, organizata rinore e CDU-së. Vetëm një vit më vonë u zgjodh anëtar bordi dhe përgjegjës për anëtarësinë në një nga degët më të mëdha të qytetit, duke marrë përgjegjësi për administrimin e të dhënave të anëtarëve.

Po ashtu, ai është delegat shtetëror në Kongresin e Partisë së Landit Hessen me të drejtë vote, ndërsa nga tetori është edhe anëtar bordi në Lidhjen Ekonomike Hochtaunuskreis, ku bashkëpunon me deputetë të Parlamentit të Landit dhe Bundestagut.

Suksesi i Murat Avdylit po shihet si një shembull i mirë i integrimit dhe angazhimit të të rinjve shqiptarë në shtetet ku jetojnë, duke mos harruar asnjëherë prejardhjen dhe vendlindjen e tyre. Ai vazhdon të mbetet i lidhur ngushtë me Dobroshecin dhe Drenasin, ndërsa njihet si një i ri ambicioz, i përkushtuar dhe i etur për dije.

Shumë qytetarë po e konsiderojnë këtë arritje si krenari për Kosovën dhe diasporën shqiptare në Gjermani.

Lajmi i fundit
LAJME TJERA