Goditet rrjeti i trafikut të drogës,
Policia e Kosovës sekuestron marihuanë në një aksion të koordinuar
Prishtinë, 06 maj 2026
Policia e Kosovës, përkatësisht njësitet kompetente të antidrogës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, kanë realizuar me sukses një operacion policor në kuadër të luftimit të trafikimit të narkotikëve.
Pas pranimit të një informacioni në rrugë operative DHTN Ferizaj, për një dërgesë të dyshuar përmes postës, janë ndërmarrë veprime të koordinuara hetimore dhe operative, në bashkëpunim edhe me Doganën e Kosovës dhe njësitet relevante policore.
Gjatë zbatimit të planit taktik, rreth orës 12:20, në rrugën Prishtinë–Prizren, në Llapushnik është ndaluar për kontroll një automjet me targa vendore, ku gjatë kontrollit është gjetur një pako që përmbante substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Lidhur me rastin, në vendin e ngjarjes është arrestuar një person i dyshuar, i cili me vendim të prokurorit kujdestar është ndaluar për 48 orë.
Si prova materiale janë sekuestruar mbi 1 kilogram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, si dhe një telefon mobil.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e dukurive kriminale, duke ndërmarrë veprime të vazhdueshme për garantimin e sigurisë publike dhe sundimit të ligjit.




