Sot, më 11 qershor, bëhen 26 vite nga rënia e motrës sime të dashur, Besmira Enver Hajdari.
Në këtë ditë, si çdo vit, gjithë familja jonë dhe shumë miq mblidhemi pranë lapidarit të saj në oborrin e shkollës fillore “Rilindja” në Dritan, për t’i hedhur lule të freskëta dhe për të kujtuar me dhimbje, mall dhe krenari një shpirt të pastër që u këput në lulen e jetës.
Kur e shoh fotografinë e saj në lapidar, aty ku qëndron e qeshur e pafajshme, më rikthehen të gjitha kujtimet. Si një dritë e zbehtë që ndriçon përmes dhimbjes, ajo fytyrë e vogël, e ngrirë në kohë, na flet për një jetë të ndërprerë para kohe. Për ëndrrat e papërfunduara, për fëmijërinë e ndërprerë dhunshëm, për atë dashuri që mungon çdo ditë.
Kishim bërë jetë malesh, të shpërngulur, me ankthin e përditshëm, por edhe me një besim të thellë se kjo tokë do të çlirohet. Në ato ditë të vështira, kishte një moment që ndriçonte fytyrën e motrës sime më shumë se çdo dritë: kur babai vinte nga pika e UÇK-së.
E priste me gëzim, me buzëqeshje që s’kishte të ndalur. Sa herë që ai vinte, sikur kthehej jeta në kampin tonë të vogël. E rrethuar me vëmendje, Besmira dëgjonte me ëndje çdo fjalë që ai sillte nga lart.
“Serbia po ikën,” i thoshte.
“Kjo është tokë e jona dhe UÇK-ja po ia del ta mbrojë bashkë me aleatët tanë.”
Ajo qeshte, sytë i ndriçonin, dhe shpesh përsëriste me fjalët e saj të vogla:
“Po vjen liria, kjo do të jetë jeta jonë e re.”
Ajo nuk rreshti së besuari se UÇK-ja ishte çlirimtare dhe se liria do të vinte. Besim që e mbante të gjallë çdo ditë, edhe në kushte të vështira.
Por mëngjesi i 11 qershorit, kur besuam se po zbardhte dita e lirisë, solli tragjedinë më të madhe për familjen tonë. Rafalet e armikut trazuan strehen tonë në lugun e madh. Një plumb i pamëshirshëm i mori jetën motrës sime 10-vjeçare. Një fëmijë që kishte vetëm ëndrra, paqe dhe dashuri në shpirt.
Aty ku ra, ai vend mori emrin e saj: Lugu i Besës.
Fëmijët janë më të pafajshmit në çdo luftë. Ata nuk njohin urrejtje, nuk mbajnë armë, nuk kuptojnë urdhra apo fronte. Ata thjesht ëndërrojnë. Ata kishin ëndrra të tjera për shkollë, për lojë, për jetë.
Sa herë e përmendte shkollën, sa herë thoshte “dua të kthehem e para”, e di sa e dhimbshme është sot për ne t’i rikthehemi shkollës pa të… por e bëjmë. Sepse kujtimi i saj është aty. I gjallë, i paprekur, i shenjtë.
Motra ime Besmira ishte vetëm 10 vjeçe. Një njomake e pafajshme, që nuk pati kohë të jetojë jetën e saj, por e dhuroi atë pa e ditur, për qëllimin më të lartë që njeh një popull lirinë.
Ne u jemi përjetësisht borxhli asaj. Fëmijëve që u prenë në lule të jetës. Heronjve, dëshmorëve dhe të gjithë martirëve që u sakrifikuan për të na dhënë një atdhe të lirë.
Pushofsh e qetë, Besa jonë.
Ti nuk je harruar. Zemra jonë do të të kërkojë përherë, por kujtimi yt do të jetojë përjetësisht.