Drejtoresha e Bujqësisë në Komunën e Drenasit, Anita Avdullahu, pati kënaqësinë të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të njësisë së re të përpunimit të qumështit, “Tradita e Djathit Bjeshka”, nën drejtimin e znj. Luljeta Hoxha. Kjo njësi, e vendosur në një zonë rurale të pasur me burime natyrore, është një arritje e rëndësishme për zhvillimin e bujqësisë në Komunën tonë.
Iniciativa u realizua në bashkëpunim me IADK, e cila ka organizuar trajnime profesionale për përvetësimin e njohurive në prodhimin e djathit dhe përpunimin e produkteve të tjera të qumështit. Trajnimet kanë përfshirë njohuri të avancuara për standardet higjienike dhe përdorimin e pajisjeve profesionale, të cilat janë kyçe për ruajtjen e cilësisë dhe traditës së produkteve.
Ky projekt është pjesë e programit “Përmirësimi i Punësimit dhe Mundësive për Gjenerim të Të Ardhurave në Zonat Rurale të Kosovës”, i cili mbështetet nga donatori gjerman Brot für die Welt dhe zbatohet me bashkëpunimin e ngushtë të Komunës së Drenasit. Përmes tij, synohet krijimi i vendeve të reja të punës, si dhe fuqizimi i kapaciteteve të grave dhe të rinjve në zonat rurale për t’i angazhuar ata në sektorin e përpunimit të qumështit dhe në zhvillimin e bizneseve të qëndrueshme lokale.
Drejtoria e Bujqësisë është krenare për këtë hap të ri dhe do të vazhdojë të mbështesë nisma që përmirësojnë cilësinë e jetës dhe ofrojnë mundësi për zhvillim në komunitetin tonë.